Të gjithë shtetasit, përfshirë edhe punonjësit e strukturave, mund të depozitojnë në Shërbim një ankesë ose informacion që e percepton si shkelje të ligjit, akteve nënligjore e Kodit të Etikës, gjatë ushtrimit të detyrës ose vepër penale të kryer nga punonjësit e strukturave të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe shërbimit Zjarrfikës (PMNZSH).
Shërbimi:
a) realizon kushte teknike dhe administrative, në nivel qendror dhe vendor, për depozitimin e
ankesave dhe informacioneve të publikut, apo subjekteve të tjera;
b) trajton, verifikon dhe administron ankesat dhe informacionet e publikut ndaj punonjësve të
strukturave, duke përfshirë dhe rastet kur këto publikohen në media dhe në forma të tjera publikimi.
c) pranon ankesa edhe kur subjekt i ankesës nuk është punonjësi i strukturës, por strukturat e tyre qendrore apo vendore;
ç) pranon ankesa për punonjës të institucioneve të tjera, të cilat i dërgohen për vlerësim e trajtim institucionit kompetent.
Kur punonjësit e institucioneve të tjera shtetërore, për shkak të detyrës, marrin ankesa dhe
informacione ndaj punonjësve të strukturave, të cilat janë objekt i veprimtarisë së Shërbimit, duhet t’i përcjellin ato brenda 15 ditëve nga marrja e tyre në Shërbim.
Ankesat dhe informacionet e publikut ndaj punonjësve të strukturave vlerësohen dhe trajtohen si informacion i ligjshëm i Shërbimit.
Ankesat dhe informacionet e publikut ndaj punonjësve të strukturave, sipas përmbajtjes dhe rëndësisë, u nënshtrohen procedurave inspektuese ose hetimore.
Shërbimi gjykon dhe vendos që të mos e vlerësojë dhe ta trajtojë një ankesë apo informacion kur:
a) veprimet dhe/ose mosveprimet e raportuara tregojnë haptazi se nuk përbëjnë shkelje të ligjit, akteve nënligjore dhe Kodit të Etikës;
b) nga një burim anonim dhe e pabazuar në fakte dhe të dhëna konkrete.
Kriteret për vlerësimin e ankesave të informacionit të publikut dhe procedurat për administrimin, trajtimin dhe shqyrtimin e tyre përcaktohen në Rregulloren e Shërbimit.